Turqi, konfirmohen 44 të vdekur nga rrëshqitjet e dheut

Numri i viktimave nga përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut në brigjet e Turqisë ka shkuar në mbi 44 vetë, sipas njoftimit të shtunën të agjencisë së emergjencave.

Shirat e rrëmbyer goditën krahinat e Bartinit, Kastamonus dhe Sinopit të mërkurën duke shkaktuar përmbytje që rrëzuan banesa, shembën segmente të të paktën pesë urave dhe morën me vete makina e objekte të tjera.

Sipas agjencisë së emergjencave, nëntë vetë janë shtruar në spital në Sinop. Disa banorë në Kastamonu thanë në median sociale se qindra vetë figurojnë të zhdukur, gjë që është përsëritur edhe nga një ligjvënës i opozitës. Por zyra e qeverisjes lokale tha të premten në mbrëmje se nuk janë të vërteta njoftimet për 250 trupa të paidentifikuar.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të pajisur me qen, vazhdojnë punën e vështirë për të gjetur të zhdukurit.

Në mbarë zonën janë evakuuar të paktën 2,250 vetë para dhe gjatë përmbytjeve, disa janë marrë me helikopterë nga çatitë e banesave. Shumë të tjerë kanë gjetur strehim të përkohëshëm në konvikte shkollash.

Shkencëtarët thonë se nuk ka diskutim që këto katastrofa ekstreme natyrore janë pasojë e ngrohjes së planetit, si rezultat i aktivitetit të njeriut.

Por ekspertët në Turqi thonë se një rol të madh kanë luajtur edhe ndërhyrjet në shtretërit e lumenje dhe shfrytëzimi i parregullt për material ndërtimi, gjë që i bën përmbytjet edhe më të rrezikshme.