Demokratët e moderuar të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se ata do të fundosin një projektligj të rëndësishëm fiskal me vlerë prej 3.5 trilionë dollarësh mbi shpenzimet në programet sociale dhe ato të mjedisit, nëse së pari nuk miratohet një projektligj i veçantë për infrastrukturën, një pengesë e re në përpjekjen e partisë së ndarë për të miratuar axhendën e Presidentit Joe Biden për projekte të brendshme.
Kërcënimi i centristëve kundërshton drejtpërdrejt planet e shpallura nga kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi dhe ajo nuk po tregon shenja të tërheqjes. Ky veprim gjithashtu shton presionin e dyanshëm mbi demokraten e Kalifornisë, e cila është nën presion të ngjashëm nga progresistët e partisë së saj.
Demokratët mund të miratojnë projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve nëse ata nuk humbasin më shumë se tre vota të ligjvënësve të partisë së tyre. Opozita e fortë republikane është e bashkuar në qëndrimin e saj për projektligjin.
"Ne nuk do ta konsiderojmë votimin për një rezolutë të buxhetit derisa ligji dy partiak i Investimeve në Infrastrukturë dhe Vende të Punës të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të nënshkruhet në ligj", thanë nëntë demokratë të moderuar në një letër drejtuar zonjës Pelosi të siguruar të premten nga agjencia e lajmeve The Associated Press.
Miratimi nga Kongresi i rezolutës së buxhetit duket i sigurt sepse pa të, republikanët e Senatit do të ishin në gjendje të përdornin metodën e zvarritjes me fjalime pafund (filibuster), për të bllokuar një projektligj tjetër prej 3.5 trilionë dollarësh për forcimin e programeve të sigurisë sociale dhe atyre kundër ndryshimit të klimës. Kjo masë, që nuk pritet të miratohet deri në vjeshtë, përfaqëson thelbin e axhendës së brendshme të Presidentit Biden.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë vazhdimisht se Dhoma e Përfaqësuesve nuk do ta hedhë në votë paketën prej 1 trilion dollarësh për riparimn e rrugëve, hekurudhave dhe llojeve të tjera të infrastrukturës derisa Senati të miratojë projekt-ligjin 3.5 trilionë dollarësh për forcimin e programeve sociale.
Ligjvënësja Pelosi e ka vendosur këtë si parakusht sepse progresistët e partisë së saj janë të shqetësuar se nëse projekt-ligji i infrastrukturës miratohet së pari, të moderuarit e pakënaqur me koston e projektligjit të veçantë prej 3.5 trilionë dollarësh do të ndjeheshin të lirë të votonin kundër tij, duke e bllokuar miratimin e tij.
Një ndihmës i lartë demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve tha se partia nuk ka vota të mjaftueshme për të miratuar projektligjin e infrastrukturës këtë muaj. Ndihmësi e krahasoi vendimin e nëntë ligjvënësve të moderuar me dhjetëra ligjvënës të tjerë demokratë me prirje progresive që do të votonin kundër kësaj mase nëse ajo nuk merret për shqyrtimnga Dhoma e Përfaqësuesve pas miratimit të projekt-ligjit të Senatit për programet sociale dhe ato të mjedisit prej 3.5 trilionë dollarësh.
Ndihmësi nuk ishte i autorizuar të diskutonte publikisht mbi dinamikën e brendshme të partisë dhe foli në kushte anonimiteti.
“Unë nuk jam duke vepruar në mënyrë të pavarur. Ky është konsensusi”, tha Pelosi para demokratëve për planet e saj në një takim këtë javë, sipas një personi të njohur me takimin privat, i cili e përshkroi atë në kushte anonimiteti. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve shtoi:"Votat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat janë të ndërlidhura me miratimin e dy projektligjeve."
Udhëheqësit e Grupit Progresist të Kongresit, i cili përfshin gati 100 demokratë të Dhomës Përfaqësuesve, thonë se shumë nga anëtarët e tyre kanë treguar se do të votonin kundër projekt-ligjit të infrastrukturës nëse Senati nuk i jep dritën jeshile projekt-ligjit 3.5 trilionë dollarësh për përmirësimin e programeve sociale dhe atyre të mjedisit.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer, ka njoftuar se Dhoma e Përfaqësuesve do të kthehet herët nga pushimet e saj verore, më 23 gusht, për të votuar buxhetin dhe ndoshta projektligje të tjera.
Letra kishte datën e ditës së enjte dhe u raportua më herët nga Punchbowl News, një portal që mbulon ngjarjes në Kongres, dhe gazeta The New York Times.
Ajo u nënshkrua nga ligjvënësit Josh Gottheimer nga Nju Xhërsi, Carolyn Bourdeaux nga Xhorxhia, Filemon Vela, Henry Cuellar dhe Vicente Gonzalez nga Teksasi, Jared Golden nga Mejni, Ed Case nga Havai, Jim Costa nga Kalifornia, dhe Kurt Schrader nga Oregoni.
Senati e miratoi projektligjin e buxhetit të mërkurën herët pavarësisht kundërshtimit të fortë të republikanëve, disa orë pasi miratoi projekt -ligjin e infrastrukturës me mbështetjen dypartiake.