Nju Jork: Ligjvënësit pranë përmbylljes së hetimit mbi Guvernatorin Cuomo

Ligjvënësit e shtetit të Nju Jorkut informuan të enjten guvernatorin Andrew Cuomo se hetimet e tyre që mund të çojnë në shkarkimin e tij nga posti janë drejt përfundimit dhe i dhanë guvernatorit afat deri më 13 gusht të ofrojë prova shtesë.

Që nga muaji mars, komisioni juridik i Asamblesë së Nju Jorkut ka hapur hetime lidhur me ngritjen e akuzave ndaj guvernatorit Cuomo për ngacmime seksuale dhe informata jo të sakta ndaj publikut lidhur me goditjen e COVID-it në shtëpi të moshuarish si dhe për përdorimin e fondeve publike për botimin e librit të tij.

Në një letër dërguar të enjten, firma juridike që udhëheq hetimet, Davis Polk & Wardwell, i kujtoi ekipit mbrojtës të zotit Cuomo se kishte dërguar urdhër ligjor për të marrë disa dokumente dhe pret “zbatimin e plotë të urdhrit nga ana e guvernatorit” duke shtuar se thuajse po skadon afati.

Letra u bë publike nga demokrati Charles Lavine, kreu i Komisionit Juridik të Asamblesë.

Komisioni ka planifikuar të takohet të hënën e ardhshme mbi këtë çështje.

Procesi në Asamblenë e Nju Jorkut pason bërjen publike nga prokurorja e përgjithshme e shtetit të gjetjeve të një hetimi të gjatë se 11 gra që e kanë akuzuar guvernatorin për ngacmime seksuale ishin të besueshme në rrëfimet e tyre.

Zoti Cuomo ka këmbëngulur se nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme, duke shtuar se gjetjet nuk reflektojnë faaktet. Ai ndeshet me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen.