Japonia përkujtoi 10 vjetorin e rënies së një tërmeti masiv e një cunami që shkatërroi shumë fshatra e qytete duke shkaktuar një nga katastrofat më të mëdha bërthamore në botë.
Gjatë një ceremonie përkujtimore në Tokio të enjten, Kryeministri Yoshihide Suga dhe Perandori Naruhito mbajtën një minutë heshtje në momentin ekzakt që tërmeti me magnitudë 9.0 shkaktoi një cunami që përfshiu verilindjen e Japonisë, përpara se të godiste centralin bërthamor në Fukushima.
Valët e mëdha rrëzuan sistemin e furnizimit me energji dhe atë ftohës të impiantit, duke shkaktuar një shkrirje të tre reaktorëve, çka bëri që sasi të mëdha rrezatimi të shpërndaheshin në ajër. Si pasojë qindra mijëra banorë u evakuan duke e bërë atë katastrofën më të rëndë bërthamore në botë që nga aksidenti i Çernobilit në vitin 1986.
Qeveria japoneze ka shpenzuar gati 300 miliardë dollarë në projekte për rindërtimin e Fukushimës si dhe zona të tjera përreth. Por shumë zona përreth impiantit të gjymtuar mbeten të bllokuara për shkak të niveleve të larta të rrezatimit. Më shumë se 40,000 banorë vazhdojnë ende të jenë të zhvendosur.
Banorët përgjatë bregdetit verilindor të vendit u mblodhën të enjten herët në mëngjes për të nderuar më shumë se 18,000 njerëzit që humbën jetën gjatë katastrofës.