Në konkursin “Qyteti i së Ardhmes”, më shumë se 45 mijë nxënës të shkollave të mesme nga mbarë Shtetet e Bashkuara dhe nga jashtë vendit morën pjesë në një konkurs për të dalë me një koncept për një qytet me furnizim të qëndrueshëm me ujë të pastër. Ekipet bënë prezantimet e tyre në Uashington, D.C., ku ekipit fitues dhe katër konkurentëve më të afërt iu dhanë çmime.
Ky është Yemoja - modeli fitues në konkursin e këtij viti të quajtur “Qyteti i së Ardhmes”. Koncepti u krijua nga një ekip studentësh të shkollave të mesme nga shteti amerikan Indiana.
Tema e konkursit këtë vit – “Uji i pastër: Prekni të Nesërmen” - u kërkoi studentëve të përqëndrohen në krijimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm të pastër. Programi i përgjithshëm i shtyn studentët të imagjinojnë dhe ndërtojnë qytetet e së ardhmes.
"Një gjë që e bën të adoptueshme është rrota jonë e ujërave të zeza. Kemi trajtim të ujërave të ndotura, rryma uji dhe shumë pajisje të tjera që ndihmojnë për të mbajtur të pastër qytetin tonë", thotë Madeline McCabe, anëtare e ekipit të Indianës.
Një gjykatës për konkursin “Qyteti i së Ardhmes” thotë stimulohet krijimtaria dhe imagjinata e studentëve.
"Ata mund të flasin për mënyrën sesi duhet të jetë e ardhmja sipas parafytyrimit në mendjen e tyre, si dhe zgjidhjen e një problemi, për të cilin ata e dinë se do të ndikojë në një popullsi më të madhe në të ardhmen. Janë në gjendje të përdorin burimet e kufizuara që kanë dhe gjithashtu të arrijnë nëpërmjet teknologjisë zgjidhjen e këtij problemi", thotë Shar Govindan, gjykatës në konkursin “Qyteti i së Ardhmes”.
Në vitin e tij të 28-të, programi ndërkombëtar kishte 45.000 nxënës të shkollave të mesme që morën pjesë, nga 1.500 shkolla nga më shumë se 40 rajone të Shteteve të Bashkuara.
"Është një projekt që përfshin shumë aftësi inxhinierike dhe të tjera. Ka katër pjesë të ndryshme për të: një qytet i simuluar virtual, një ese prej 1500 fjalësh që duhet të shkruhet, një maket që duhet ndërtuar dhe pastaj një prezantim gjatë konkursit që pasohet nga pyetje-përgjigje", thotë Naishu Vytla, anëtare e ekipit të shtetit Philadelphia.
Ndër ekipet ndërkombëtare ka qenë edhe një ekip kinez, ndërkohë që tashmë ka shpërthyer epidemia e koronavirusit.
"Ne kemi një program me të vërtetë të fortë në Kinë dhe ata kanë qenë me ne për disa vjet. Ne gjithmonë duam që ekipet tona atje të vijnë në Uashington, DC. Për fat të keq, ata nuk ishin në gjendje të bashkohen me ne këtë vit për shkak të kufizimit të udhëtimeve nga Kina", thotë Maggie Dressel, menaxhere e programit “Qyteti i së Ardhmes”.
Kanadezët nuk të tilla pengesa, por patën peshë të rëndë për të ngritur.
"Duhej shumë punë që ta sillnim maketin këtu. Ne duhej ta transportonim këtu dhe shumë pjesë ranë. Kështu që na u desh të punonim shumë për ta montuar sërish”, thotë Myah Hassan, anëtare e ekipit të Kanadasë.
Pesë skuadrat e tjera më të mira janë nga zona si Kansas, nga Karolina e Veriut, nga Albany, kryeqyteti i Nju Jorkut, si dhe nga Idaho. Indiana, si fituese e çmimit të madh, mori 7.500 dollarë për programin STEM të shkollës dhe një udhëtim në kampin amerikan të hapësirës.