Lidhje

Thaçi: Pa vota të sigurta nuk debatohet Gjykata e Posaçme


Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se fillimisht duhet siguruar votat e pastaj të dërgohet në parlament çështja e Gjykatës së Posaçme

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha të martën se qeveria nuk do të dërgojë për rivotim ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Posaçme pa u siguruar se ka votat e mjaftueshme për të.

Më 26 qershor parlamenti dështoi të miratojë ndryshimet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë themelimit të gjykatës që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë. Institucionet e Kosovës thanë se po përpiqen të gjejnë rrugën për të hedhur sërish në debat këtë çështje si një detyrim ndërkombëtarë ndërsa opozita ka bërë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar në parlament.

Institucionet janë vënë nën trysni ndërkombëtare për ngritjen e kësaj gjykate. Edhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland tha gjatë një vizite në Prishtinë dy ditë më parë se Shtetet e Bashkuara ishin të zhgënjyera me mos votimin e ndryshimeve kushtetuese që lidhen me gjykatën.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Zonja Nuland tha që nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje.

Ministri i jashtëm, Hashim Thaci tha se Kosova nuk guxon të dështojë.

Ne jemi duke punuar që një votim i tillë pozitiv të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Sa më tepër që shtyhet, gjërat mund të ndërlikohen. Por jemi në koordinim si spektër politik, në të njëjtën kohë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë që votimi i ardhshëm të bëhet në momentin kur të jemi të sigurt që janë votat e mjaftueshme, sepse nuk guxojmë të gabojmë dhe të dështojmë”, tha zoti Thaçi

Greqia pret hapjen e zyrës së Kosovës në Athinë

Ai i bëri këto komente të martën pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikolaos Kotzias, me të cilin ka diskutuar rrugët e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.

Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, por ministri i jashtëm tha se “Greqia ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare”.

Ai tha se hapja e zyrës së Kosovës në Athinë mund të përmbyllet së shpejti në mënyrë që Kosova dhe Greqia ta rrisin edhe bashkëpunimin ekonomik.

Edhe gjatë vizitave në të kaluarën, ministrat e jashtëm të Greqisë, si Dora Bakoyanis e cila qindori në Kosovë në shkurt të vitit 2009, Stavros Lambrinidis në shtator të vitit 2011 apo Evangelos Venizelos që vizitoi Kosovën në shkurt të vitit 2014 janë zotuar se do të mbështesin integrimet evropiane të Kosovës, pavarësisht qëndrimit aktual ndaj pavarësisë së saj.

XS
SM
MD
LG