Një gjykatë në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh një 16 vjeçari nga qyteti i Pejës, nën dyshimet për siç thuhet “planifikim të një sulmi terrorist”.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha në një njoftim se “i pandehuri me inicialet B.M... në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”.
Me këto veprime, thuhet më tej në njoftim ai ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Nuk janë dhënë më shumë hollësi për planet apo motivet e planifikimit të një vepre të tillë, e cila sipas ligjeve në Kosovë mund të çojë në dënim prej 5 deri në 20 vjet heqje lirie.