Në Tiranë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se Kosova rrezikon që, nga momenti në moment, të përballet me sanksione nga bashkësia euroatlantike e cila siç deklaroi “ka vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizje planin ndaj shtetit që ka krijuar vetë”. Ndërkohë burimet në Bruksel thanë se zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, ka hartuar një paketë masash kundër qeverisë së Kosovës që përfshijnë pezullimin e veprimtarive në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe të ndihmave financiare. Po ashtu, pjesë e masave të propozuara është edhe anulimi i vizitave të nivelit të lartë përveç atyre që kanë të bëjnë me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Deklaratat e kryeministrit Rama u bënë gjatë një konference të jashtëzakonshme të martën në mbrëmje, ku ai njoftoi anulimin e mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Kosovës, e parashikuar për nesër në Gjakovë, pasi sipas tij “në kushtet e agravimit me orë, të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësnë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”. Ai tha se i ka propozuar kryeministrit Albin Kurti të takohen së bashku, po nesër, në Gjakovë, në prani dhe të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të të dy vendeve, dhe se e ka bërë këtë kërkesë pasi ka folur me Shefin e diplomacisë europiane Borrell.
Kryeministri Rama shpjegoi se nuk ka patur dakortësi nga zoti Kurti për ndryshimin e formatit të mbledhjes mes dy qeverive. “Ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veçmas, të diskutojmë dhe për këtë, por kjo nuk është e mundur se nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot”, tha zoti Rama duke shtuar se shpreson që takimi me zotin Kurti të mund të realizohet. “Nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, kam shumë frikë se plani, që realisht është shumë i rëndë për Kosovën do të vihet në lëvizje”, u shpreh kryeministri Rama duke theksuar dhe një herë se në këtë rast Shqipëria është 100 përqind në linjë me bashkësinë euroatlantike.
Qeveria e Kosovës nuk i komentoi shqetësimet e ngritura nga kryeministri Rama, por tha se takimet dypalëshe do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.
"Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por, është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme", tha në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.