Lidhje

Dekreti i Begajt, Vlora Hyseni merr drejtimin e SHISH-it


Dekreti i Presidentit Begaj për emërimin e Vlora Hysenit
Dekreti i Presidentit Begaj për emërimin e Vlora Hysenit

Në Shqipëri Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e Vlora Hysenit, në krye të Shërbimit informativ shtetëror (SHISH). Ish zëvendës drejtore e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, zonja Hyseni, u propozua të merrte drejtimin e shërbimeve sekrete shqiptare, më shumë se dy javë më parë, nga kryeministri Edi Rama.

Më 17 mars, pas takimit me presidentin Begaj, për kandidaturën e zonjës Hyseni, kryeministri shkruajti në Facebook se kishte “besim të plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit informativ shqiptar”.

Shërbimi Informativ shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.

Zonja Hyseni ka punuar disa vite në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, ku ka qenë Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë e më pas zëvendësdrejtore e këtij institucioni nga viti 2019, për t’u shkarkuar më vonë, në mesin e vitit 2021 nga presidentja Osmani. Ky fakt ushqeu një sërë debatesh në Shqipëri, dhe përfaqësuesë të opozitës, kërkuan nga presidenti Begaj, që të kërkonte informacione për shkaqet e shkarkimit të saj nga drejtimi i shërbimeve sekrete të Kosovës.

Nuk është hera e parë që në institucionet e Shqipërisë janë emëruar, deri në nivele të ministrave, zyrtarë nga Kosova.

XS
SM
MD
LG