Lidhje

Dhoma e lartë e parlamentit rus ratifikon aneksimin e katër rajoneve ukrainase


Dhoma e lartë e parlamentit rus ratifikoi sot traktatet për të aneksuar katër rajone ukrainase, pas referendumeve të orkestruara nga Kremlini, që Kievi dhe Perëndimi i kanë denoncuar si të paligjshme.

Këshilli i Federatës votoi me shpejtësi dhe njëzëri për të miratuar traktatet sipas së cilave Donetsku, Luhansku, Khersoni dhe Zaporizhia bashkohen me Rusinë.

Votimi vjen një ditë pasi dhoma e ulët, Duma bëri të njëjtën gjë.

Të premten e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi traktatet për aneksimin e këtyre rajoneve, përbëjnë 18 për qind të territorit të Ukrainës.

Rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore, janë mbështetur nga Moska që në vitin 2014 kur ato u vetë-shpallën të pavarura, disa javë pas aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës.

Pavarësisht miratimit të aneksimit në parlamentin rus, Kremlini ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht kufijtë e rajoneve të reja - pjesë të mëdha të të cilave janë ende nën kontrollin e forcave të Ukrainës.

Rrjedhimisht është ende e paqartë se ku do t’i caktojë Rusia kufijtë e saj ndërkombëtarë pasi të përfundojë aneksimi.

Të hënën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se po vazhdonin konsultimet në lidhje me kufijtë e rajoneve Zaporizhia dhe Kherson.

Rusia nuk ka kontroll të plotë mbi asnjë nga katër rajonet.

Presidenti rus Vladimir Putin pritet t’i nënshkruajë ndoshta që të martën traktatet e ratifikimit për të përfunduar procesin e aneksimit, edhe pse luftime intensive vazhdojnë të zhvillohen në ato zona.

XS
SM
MD
LG