Lidhje

Shqipëri, arrestohet në sallën e gjyqit Shefi i Kardiokirurgjisë Prifti


Në Shqipëri, shefi i Repartit të Kardiokirurgjisë Edvin Prifti u arrestua sot në sallën e gjyqit nën akuzën e korrupsinit dhe pastrimit të parave. Kërkesa për arrestimin e tij u bë gjatë seancës gjyqësore nga Prokurorët, pasi mjekut të njohur i ishin gjetur në banesë dhe në zyrën e tij 250 mijë euro dhe 16 milion lekë të reja.

Profesor Prifti por dhe avokati i tij pretenduan se paratë ishin pjesë e një transaksioni për shitjen e një prone të bashkëshortes së mjekut, dhe se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se paratë ishin siguruar nga burime të paligjshme. Mjeku Prifti deklaroi se ai ka punuar per shumë vjet në spitale me emër në Itali, se ka marrë vlerësime e çmime më vlera të larta monetare dhe se në Shqipëri ushtronte aktivitetin dhe pranë një spitali privat. Gjykata nuk i konsideroi të vlefshme provat e paraqitura nga mbrojtja.

Përpara vendimit të Gjykatës Profesor Prifti u shpreh për mediat se ai e parashikonte dhe mundësinë e arrestimit duke qenë se gjatë një takimi publik kryeministri Edi Rama e kishte deklaruar atë të arrestuar, ndonëse deri në atë moment, ishte vetëm Prokuroria që kishte kërkuar prangosjen e mjekut.

Kardiokirurgu Prifti përfundoi nën akuzë, pasi emri i tij doli në përgjimet e Sekretares së Gjykatës së Krujës, e cila kishte operuar të ëmën, kundrejt pagesës së dhënë për mjekun, sipas Prokurorisë.

Sekretarja e Gjykatës, gjithashtu e arrestuar, ishte pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që çoi në pranga gjykatësen e Krujës Enkeleida Hoxha, një avokati dhe 7 personave të tjerë, mes tyre disa që shërbenin si ndërmjetës. Të gjithë dyshohet se ishin pjesë e një skeme për lirimin para kohe të të dënuarve.

Për të gjithë, Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e arrestit me burg. Emri i gjykatëses Hoxha ishte lakuar disa herë vitet e fundit pikërisht për disa vendime që kishin çuar në lirimin nga burgu të personazheve me emër të botës së krimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG