Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha të enjten se akuzat e partive politike ndaj saj dhe Komisionit janë ndërhyrje drejtpërdrejtë në punën e institucionit për të pamundësuar zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Ajo i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë, pas reagimeve që pasuan njoftimin se Këshillit Gjyqësor i Kosovës ka gjetur se 47 kandidatë nga 1 mijë e 80 sa janë në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim të përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit dhe nuk kanë mundësi të kandidojnë.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca deklaroi të mërkurë në TV Dukagjini, se mos certifikimi i 47 kandidatëve përfshirë këtu edhe kryetarin e kësaj lëvizjeje Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike.
"Personi i cili në KQZ po ndikon, që edhe kërkesa të jetë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka", tha zoti Konjufca.
“Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familje ime janë të paprecedent dhe të rrezikshme. Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidatë për deputet do t’u them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, tha Valdete Daka.
Vet zoti Kurti tha të enjten se do të respektojë kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Mendoj që institucionet e shtetit duhet të përditësohen në rrethanat e reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve. Unë jam bartës liste i cili i respekton dhe përfill me përpikëri kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, tha zoti Kurti.
Verifikimi i listave të deputetëve sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po bëhet mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në fillim të muajit janar tha se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale në tre vjetët e fundit.
Në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se secili që mendon se i është bërë e padrejtë mund të ankohet.
“Do të mund të ankohet në institucione të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa apo në Gjykatën Supreme, ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre. Unë Valdete Daka, nuk i kam shkruar as votuar këto ligje por si gjyqtare dhe drejtuese e KQZ-së së Kosovës se do t’i zbatoj germë për germë”, tha ajo.
Për situatën e krijuar reagoi edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili u bëri thirrje partive politike “që të përmbahen nga gjuha joadekuate, aq ma tepër nga gjuha kërcënuese”, e cila siç thuhet në reagim “është e papranueshme dhe cënon parimet e demokracisë në vend”.
28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.
Facebook Forum