Lidhje

Presidentja Jahjaga kërkon rishqyrtimin e Kodit Penal të Kosovës


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vendosi të rikthejë në Parlament Kodin e ri Penal të Kosovës, i cili përfshinë dy nene të diskutueshme që kanë të bëjnë me mediat. Kodi i miratuar në Parlament më 20 prill, përfshinte dy nene në të cilat thuhet veç tjerash se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu tha se vendimi pasoi një shqyrtim të hollësishëm të Kodit Penal. “Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka vendosur që ta kthejë për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës Kodin Penal, posaçërisht dy nenet, 37 dhe 38, për arsye se nuk janë në përputhje, ose ne harmoni me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ne veçanti me nenin 40 dhe 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që flasin për lirinë e medieve dhe lirinë e shprehjes”, tha zoti Vllahiu.

Në arsyetim thuhet pos tjerash se Kodi ishte në kundërshtim edhe nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Vendimi i presidentes u mirëprit nga shoqatat e gazetarëve. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve profesionist të Kosovës, Arben Ahmeti i tha Zërit të Amerikës. se ky është një vendim që shpëton lirinë e fjalës.

Është një vendim i mire, është një vendim demokratik, është një vendim i cili shpëton lirinë e shtypit. Dhe është mirë që ka ndodhur kështu që brenda institucioneve të Kosovës po vendoset që Kodi të kthehet. Presim nga Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht nga partitë politike, që të reflektojnë tash në kërkesat e gazetarëve që janë shumë demokratike dhje kanë pasur mbështetje të gjerë edhe ndërkombëtare”, tha zoti Ahmeti

Ndërkaq Unioni i Gazetarëve të Kosovës, vlerësoi se ky ishte një vendim i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, për të mundësuar, lirinë medieve dhe zhvillimin e tyre.

“Unioni i Gazetarëve të Kosovës, kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që nenet e diskutueshme që prekin drejtpërdrejtë lirinë e medieve dhe të gazetarëve të modifikohen dhe të specifikohen në atë mënyrë që të mos rrezikohet njëri nga parimet themelor të demokracisë – lirinë e medieve”, thuhet në një komunikatë për opinion.

Vendimi i presidentes u mbështet edhe nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Shefi i saj në Kosovë ambasadori Werner Almhofer, nëpërmjet një komunikate për opinion tha se nenet e diskutueshme në formën aktuale dëmtojnë lirinë e mediave. Ai i bëri thirrje Parlamentit të Kosovës që edhe një herë t’i rishikojë këto nene dhe t’u jap përgjigje shqetësimeve të ngritura nga organizatat për lirinë e mediave dhe vetë mediat.

Kundër Kodit të ri Penal kishin organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, ndërsa më 3 maj ditën e lirisë së shtypi mediat e Kosovës bojkotuan punën e institucioneve në shenjë proteste ndaj Kodit Penal. Arben Ahmeti thotë se shoqatat e gazetarëve janë të gatshme të mbështesin Parlamentin në procesin e rishqyrtimit të Kodit Penal.

Besojmë që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur kohën e mjaftueshme për të mësuar dhe kuptuar argumentet tona shumë të drejta dhe kjo do të na e lehtësojë punën. Përndryshe, ne jemi të gatshëm që të arsyetojmë ligjërisht kërkesat tona, por nuk e negociojmë lirinë e shtypit, sepse ajo mbetet e pa negociueshme”, tha zoti Ahmeti

Thirrjeve për rishqyrtimin e Kodit u ishte bashkuar edhe qeveria e Kosovës si dhe lëvizja Vetëvendosje. Përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve thanë se vendimi i sotëm i presidentes hap rrugë për të ndryshuar situatën me mediat në Kosovë e cila javën e kaluar në raportin e organizatës “Freedom House”, u radhit në mesin e vendeve me liri të pjesshme.

XS
SM
MD
LG