Klement Tinaj, nuk kishte menduar ndonjëherë se do të ndiqte rrugën e filmit. I ri dhe i ardhur me familjen në Shtetet e Bashkuara në vitet e adoleshencës nga Kelmendi i Shqipërisë, talenti i tij u zbulua nga një mësuese dhe vitet e fundit, karriera e ekspertit të arteve marciale ka lulëzuar në filmat “action”. Tani në të 20-at, Klementi jeton në Hollivud dhe ka ëndrra të mëdha për të ardhmen. Ai foli me kolegen Keida Kostreci, ndërsa ndodhenj për një vizitë në Nju Jork.
Zëri i Amerikës: Klement, karriera juaj ka ecur me shpejtësi kohët e fundit. Ju keni interpretuar në shumë filma, përfshirë “Fast & Furious 7”, “4Got10”, “Weaponized”, “The Second Coming of Christ”, “Time Toys”, “Dollz” e filma të tjerë. Si ndjeheni për suksesin që keni arritur?
Klement Tinaj: Ndjehem shumë mirë. Kam interpretuar në shumë filma. Aktualisht po punoj për pesë filma të tjerë. I fundit për të cilin po punoj është “Bloody Hands” me regjisor Jaden Hwang, me aktorin Orlando Brown dhe shumë aktorë të tjerë të shkëlqyer. Është e mrekullueshme.
Zëri i Amerikës: A ishte befasi për ju që e gjetët suksesin në një moshë kaq të re, sidomos duke pasur parasysh se nga keni ardhur dhe që vendimin për t’u bërë aktor nuk e morët menjëherë?
Klement Tinaj: Ishte një ndryshim i madh, po të kesh parasysh se unë u rrita në një vend të vogël dhe të varfër dhe ardhja në një vend të madh dhe të pasur ishte një ndryshim shumë i madh në jetën time. Fakti që isha në gjendje të ndiqja ëndrrën time ishte diçka shumë e rëndësishme. Unë bëra studimet master për aktrim, pastaj gjeta agjentët e mi dhe u zgjodha për të luajtur në “Fast and Furious 7” që ishte një hap i madh për karrierën time.
Zëri i Amerikës: Çfarë personazhesh luani në përgjithësi në filma?
Klement Tinaj: Përgjithësisht unë interpretoj në filma “action”. Është një zhanër që më shkon për shtat sepse unë kam qenë i përfshirë në arte marciale që kur isha i vogël, prandaj jam në gjendje që të bëj shumë nga lëvizjet dhe ushtrimet e nevojshme për filma të tillë.
Zëri i Amerikës: Mund të na thuash disa nga përshtypjet për aktorët e njohur me të cilët ke interpretuar në filma?
Klement Tinaj: Së fundmi kam interpretuar me yje kinemaje si Dolph Lundgren, Al Sapienza, Orlando Brown, Vin Diesel, Michelle Rodriguez tek “Fast & Furious 7”, në “Time Toys” me Rob Van Dam. Në filmin “Dollz” unë interpretoj rolin e James, një djalosh tërheqës për femrat dhe jam shumë entuziast për këtë rol. Deri tani ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe unë kam qenë me fat. Nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija në Hollivud. Kur vjen këtu nga një vend i varfër, njerëz si unë mendojnë fillimisht sesi të punojnë sa më shumë, nuk mendojnë të bëhen aktorë, mendojnë të punojnë në ndërtim, të bëhen mësues, avokatë. Ishte një mësuese në shkollë të mesme që pothuajse më detyroi të luaja në një pjesë teatrale dhe më tha që duhet të vazhdoja të interpretoja sepse isha i talentuar dhe unë vazhdova.
Zëri i Amerikës: Fakti që vjen nga një vend tjetër, nga Shqipëria, ju ka ndihmuar të merrni role, apo ju ka penguar?
Klement Tinaj: Më ka ndihmuar, sepse është ajo që më bën të veçantë si aktor: Kultura, gjuha, pamja, mënyra si flet, si vishesh dhe si ecën, të gjitha këto të bëjnë që të biesh në sy nga të tjerët, kështuqë mendoj se fakti që jam shqiptar dhe që vij nga Shqipëria ndihmon shumë dhe jam jashtë mase krenar që jam shqiptar dhe të përfaqësoj Shqipërinë në Hollivud.
Zëri i Amerikës: Cila ka qenë sfida juaj më e madhe?
Klement Tinaj: Sfida më e madhe kur fillova të interpretoj ishte gjuha, sepse të gjithë e dallonin theksin e huaj, por mendoj se kjo më dalloi, më bëri të ndryshëm nga aktorët e tjerë. Një tjetër vështirësi që nuk di nëse mund ta quaj sfidë ishte kur po filmonim “Last Chance”, ishte një skenë kur duhet të më hidhnin ujë të ftohtë mbi trup dhe më sugjeruan që të përdornin ujë pak të ngrohtë dhe unë u thashë jo, dua ta ndjej ujin e ftohtë që reagimi im të ishte i natyrshëm. Duhet që të jepja një interpretim të besueshëm për audiencën. Ishte ora një e mëngjesit, më hodhën ujin mbi kokë dhe unë humba ndjenjat. Pra kjo ishte një nga vështirësitë e xhirimit.
Zëri i Amerikës: Ju keni aspirata edhe si regjisor dhe producent apo jo?
Klement Tinaj: Po kam qenë regjisor për disa flima dhe kam shkruar disa skenare dhe më pëlqen sepse t’i njohësh të gjitha aspektet e prodhimit të një filmi, sepse më pas kur të thotë regjisori bëj këtë ose atë, ti e di se për çfarë e ka fjalën.
Zëri i Amerikës: Domethënë kupton këndvështrimin e regjisorit?
Klement Tinaj: Po, dhe unë tani kam edhe studion time që e kam krijuar me dy partnerë, po punojmë për një projekt dhe kemi dy të tjerë që na presin, kështuqë gjërat shkojnë mirë dhe unë jam me fat.
Zëri i Amerikës: A mund të na rrëfeni diçka për familjen tuaj?
Klement Tinaj: Familja ime është nga Kelmendi në veri të Shqipërisë, me një natyrë dhe njerëz të mrekullueshëm. Familja ime erdhi këtu si shumëkush për të jetuar ëndrrën amerikane, ata punojnë shumë. Në familje unë kam muzikantë kështuqë unë e kam brenda vetes artin që nga pasioni për muzikën. Duke ardhur nga një vend aq i bukur, me një familje të mrekullueshme të motivon të punosh edhe më shumë, duke qenë i ndërgjegjshëm sesa e vështirë është për talentet atje. Por nga ana tjetër kur vjen në një vend tjetër duhet ta fillosh nga zeroja. Dhe familja ime më ka mbështetur në çdo hap. Për mua familja është gjëja më e rëndësishme. Familja është e para, pastaj aktrimi dhe çdo gjë tjetër është pas tyre.