Lidhje

Kosovë: Përplasje rreth kryeprokurorit


Akuzat e një prokurori ndërkombëtar ndaj kryeprokurorit të sapoemëruar të Kosovës Aleksandër Lumezi nxisin debate. Kryeprokurori Lumezi kërkon hetime të plota.

Prokurori finlandez Heikki Wendorf, nxiti reagime me pohimet se kryeprokurori i ri i Kosovës Aleksandër Lumezi, i emëruar vetëm një ditë më parë, mund të jetë nën hetime për përfshirje në veprime të paligjshme.

Në një letër dërguar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, më 20 prill, prokurori Wendorf shkruante se zoti Lumezi është pjesë e hetimeve që ai po drejton ndaj EULEX-it nën akuzat për korrupsion.

Kemi marrë informacion rreth kandidatit Lumezi me dyshimet për përgatitje të një vepre të korrupsionit në lidhje me vrasje. Vërtetimi i dyshimeve është në vijim e sipër. Pa marrë asnjë anë, nëse informacioni është i saktë apo jo, ne dëshirojmë t’ua japim këtë informacion Zonja Presidente në dobi të drejtësisë”, thuhet në letrën e prokurorit finlandez drejtuar presidentes Jahjaga.

Prokurori Wendorf është pjesë e grupit hetues të formuar nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet e drejtësisë në Kosovë dhe vepron në kuadër të prokurorisë së Kosovës. Grupi i formuar në vitin 2013, është duke hetuar edhe rreth akuzave të publikuara në gazetën Koha Ditore, në vjeshtën e vitit të kaluar, se zyrtarë të EULEX-it mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it thanë atëbotë se besojnë që dokumentet kanë rrjedhur nga ish prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila më pas është pezulluar nga puna.

Më 14 prill, Bashkimi Evropian publikoi rezultatet e hetimeve të ekspertit të pavarur ndërkombëtar, Jean Paul Jacque, i cili shprehet se nuk gjeti prova për të mbështetur shqetësimet për korrupsion në radhët e EULEX-it.

Letra e shkurtër e prokurorit Wendorf nuk jep më shumë hollësi mbi dyshimet ndaj zotit Lumezi, i cili të mërkurën mori përsipër postin e kryeprokurorit te shtetit, pas dekretimit të tij nga presidentja Jahjaga.

Letra e prokurorit Wendorf u pasua nga një letër e shefit të EULEX-it Gabrielle, i cili thekson se mendimi i shprehur nga prokurori Wendorf nuk përfaqëson qëndrimin e misionit të tij.

Ligjet e Kosovës parashikojnë mekanizma për adresimin e pohimeve kundër personelit gjyqësor të Kosovës. Këto pohime do të duhej të paraqiteshin para organeve gjyqësore të Kosovës”, thuhet në një sqarim të shefit të EULEX-it.

Zyra e presidentes së Kosovës konformoi marrjen e të dy letrave duke theksuar se dekretimi i kryeprokurorit është bërë në përputhje me ligjet e Kosovës. Zyra e presidentes thekson se gjithë çështjet që kanë të bëjnë me EULEX-in duhet të sqarohen nga ky i fundit.

Kryeprokurori Lumezi nga ana e tij, i hedh poshtë akuzat e prokurorit Wendorff dhe kërkoi nga EULEXI-kryerjen e hetimeve të plota.

Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i bëri thirrje të enjten EULEX-it të sqarojë opinionin lidhur me letrat që i janë dërguar Presidentes.

Kryeprokurori i Shtetit, pas këtyre letrave është i hendikepuar në ushtrimin normal të funksionit", thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Prokurori Wendorf nuk i është përpjekjeve të Zërit të Amerikës për të dhënë më shumë sqarime rreth akuzave të tij, të cilat sipas vëzhguesve mund të ushtrojnë ndikim në sistemin edhe ashtu të brishtë të drejtësisë në Kosovë, por edhe në pozicionin e EULEX-it i cili vitin e kaluar u trondit nga pohimet për korrupsion në radhët e tij.

Në letrën e tij drejtuar presidentes Jahjaga, duke shpjeguar punën e tij si prokuror ai thekson se “ka dyshime që disa ish zyrtar dhe zyrtarë aktualë të EULEX-it kanë pasur kontakte të shpeshta me të dyshuar vendas me qasje në pothuajse 200 milionë euro”.

Në orët e mbrëmjes së të enjtes, Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili propozon kandidaturën e kryeprokurorit tek presidentja, i kërkoi EULEX-it një hetim urgjent lidhur me letrën e prokurorit Wendorf, që siç shprehet Këshilli "konsiston vetëm në thashetheme".

Këshilli mendon se “EULEX-i përballët me një nga rastet më të rëndësishme që duhet zbardhur në interes të forcimit të imazhit të tij pranë qytetarëve të Kosovës, por edhe marrëdhënieve korrekte mes institucioneve vendore për pushtetin e ligjit dhe misionit evropian. Ky imazh dhe këto marrëdhënie vetëm do të avancojnë nëse hetimi i rastit bëhet shpejt dhe në mënyrë efikase në drejtim të sqarimit të pretekstit dhe prapavijës së vërtet të letrës së prokurorit Wendorf”.

XS
SM
MD
LG