Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 24 tetor?


Chartres Cathedral
Chartres Cathedral

Fillimisht ndjeu se i duhej një emër letrar; nga mendja s'i ndahej emri i malit të lartë në fshatin e lindjes Sheper. Dhe kështu "lindi" Çajupi..

1260 - Katedralja e Chartres, rreth 80 km në jug perëndim të Parisit, përurohet në prani të mbretit Luigj IX. Ndërtimi i saj kishte filluar rreth 70 vjet më parë, dhe sot ende shihet si një nga arritjet më të mëdha të arkitekturës franceze të stilit gotik. Katedralja është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKOs. Por francezët e kanë ruajtur atë jashtëzakonisht mirë. Shumica e dritareve janë origjinale dhe që nga shekulli i XIII ka parë vetëm ndryshime të vogla. Katedralja, mbi 100 metra e lartë, dallohet veçanërisht për 3 fasadat e saj të mëdha, ku janë gdhendur pamje e figura që ilustrojnë temat kryesore teologjike dhe tregime biblike. Për arsye të arkitekturës, Kathedralja Notre-Dame de Chartres vazhdon të jetë destinacion i rëndësishëm turistik për njerëz fetarë ose laikë.

1590 - Xhon Uajt, guvernatori i Kolonisë së dytë britanike në Amerikë, kthehet në Angli pas një kërkimi të pasuksesshëm për kolonët që ai kishte lënë në Roanoke (Karolina e veriut), kur ishte larguar 3 vjet më parë. Fati i kësaj kolonie ka mbetur mister. Një mundësi është se kolonët humbën durimin duke pritur kthimin e Uajtit - u përpoqën për t'u kthyer vetë në Angli dhe u mbytën në oqean. Kur guvernatori Uajt ishte larguar në vitin 1587, ai u kishte lënë pjestarëve të kolonisë një lundër me vela dhe disa anije të vogla për eksplorimin e bregdetit. Disa historianë thonë se kolonët u bashkuan me fiset vendase ose u zhvendosën në rajone të tjera larg, duke argumentuar se indianët me flokë të verdhë a sy blu ( ose as të bardhë e as të kuq), të cilët të ardhurit e tjerë shekuj më vonë ndeshën në Amerikë, ishin pasardhës të banorëve të kolonisë së humbur të përzierë me banorët autoktonë.

1892 - Në Gjenevë, Andoni, një shqiptar 24-vjecar merr diplomën e avokatit. Kjo ëndërr-realitet, ngjarje e shënuar për cdo të ri në mërgim, do të bëhej pikëkthesa drejt një udhe krejtësisht të paparashikuar ndoshta edhe nga vetë ai; kishte shkuar 5 vjet më parë në Zvicër, ku njohu një vajzë, u dashuruan, u martuan, patën një djalë. Dhe e shoqja vdiq. I dëshpëruar, Andoni lë fëmijën me prindërit e tij, ndërsa gjen punë në një firmë avokatësh, që e dërgon në Egjipt. Atje punon disa vjet, por nuk pati sukses. Të atin e kishte tregtar të pasur; kjo i jep mundësi të lërë punën, dhe tërhiqet në vilën e tij në Heliopolis, afër Kajros, ku vendos të merret me letërsi. Fillimisht ndjeu se i duhej një emër letrar; nga mendja s'i ndahej emri i malit të lartë në fshatin e lindjes Sheper. Dhe kështu "lindi" Çajupi - Andon (Çako) Zako - shkrimtar e dramaturg - poeti romantik më i madh shqiptar, pas Naim Frashërit.

Poezi nga Çajupi

1
Ne ç'vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
--Në Shqipëri.

Po njeriu vetë,
cilë do në jetë?
--Do vend' e tij.

Ku i duket balta
m'ë e ëmbël se mjalta?
--Në vend të tij.

Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
--Në Shqipëri.

Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
--Për vend' e tij.

2
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!

Le të fryjë er' e ftohtë,
s'ka ç'më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.

Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor' e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!



1940 - SHBA - Fillon zbatimi i ligjit për 40-orë punë në javë, sipas akti të Standarteve të Drejta në Punë, i miratuar në vitin 1938. Dhe debatet mbi çështjen se sa orë në javë duhet punuar vazhdojnë. Në mes të viteve 2000, Holanda u bë vendi i parë për të arritur një mesatare të përgjithshme për një javë me 30 orë punë. Disa ekonomistë kanë rekomanduar që java të ketë jo më shumë se 21 orë punë, për të adresuar problemet që lindin nga papunësia, çlirimi i karbonit, varfëria, pabarazia shoqërore, puna e tepërt (mbipuna), neglizhimi i familjes, dhe mungesa e kohës së lirë në përgjithësi. Gjatësite e kohës së punës ka ardhur duke u pakësuar në vendet e zhvilluara. Ekspertët thonë se me përparimet e jashtëzakonëshme teknologjike, njeriu nuk ka arsye të punojë më shumë, por, thonë ata, janë mendësitë e vjetra menaxhuese, që kohëzgjatja e punës ende vazhdon.

Mendim i ditës
"Frika është pasioni i skllevërve".
Patrick Henry
XS
SM
MD
LG