Kryetari i bashkisë, Gjon Bardhi, thotë se niveli ekonomik i Fushë Krujës është mjaft i ulët, dhe se ka shumë familje në varfëri të thellë. Peshën kryesore e mban biznesi i vogël, por edhe ai po përballet me vështirësi të shumta. Bizneset familjare dhe puna në të zezë janë gjerësisht të pranishme, por papunësia është e lartë dhe jashtë kontrollit.
Jo rastësisht, pra, Fushë-Kruja është një nga tre zonat, ku sapo ka nisur nga puna sistemi i ri elektronik të ndihmës ekonomike. Me pak fjalë, një program i ri kompjuterik dhe një formulë e posaçme do të gërshetojë të dhënat për çdo shtetas nga të gjithë institucionet dhe do të nxjerrë familjet, që e meritojnë ndihmën ekonomike. Kjo do të zhdukë abuzimet me ndihmat ekonomike dhe do t'i ndajë më drejt ato.
Sipas studimit të ministrisë së mirëqenies sociale dhe Bankës Botërore, programi i ri do të dyfishojë numrin e familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Deri sot Shqipëria numëron rreth 44 për qind familje të varfëra dhe ekstremisht të varfëra, nga të cilat përfitojnë ndihma ekonomike rreth 30 për qind e tyre. Me sistemin e ri kompjuterik, pritet që përfituesit e ndihmës të jenë dyfish, pra, mbi 60 për qind e familjeve ekstremisht të varfër. Kjo do të bëhet duke zhdukur abuzimet dhe duke rritur fondin e ndihmës.
Zyrtarët pohojnë se ndihma ekonomike deri tani është shpërndarë me mungesë dokumentash, pamundësi verifikimi mbi të dhënat e paraqitura, dhe llogaritje të gabuara mbi gjendjen, që nuk ka patur asnjëherë ndonjë bazë qendrore të dhënash.