Lidhje

Sulmet terroriste në Paris, 128 të vrarë


Një seri sulmesh në disa pjesë të Parisit, lanë pas vetes të paktën 128 të vrarë, në atë që duket të jetë ngjarja më e dhunshme në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sulmi i parë ndodhi kur një kamikaze hodhi veten në erë në Bulevardin Voltaire pa shkaktuar viktime të tjera, ndërsa një tjetër kamikaze shkaktoi tre të vrarë pranë stadiumit kryesor të Parisit “Stade de France”, ku po luhej ndeshja miqësore e futbollit mes Francës dhe Gjermanisë. 18 viktima u regjistruan në barin “La Belle Équipe” pesë të vdekur në një piceri dhe të paktën 12 të vrarë në një bar dhe në një tjetër restorant “Petit Cambodge”. Pjesa tjetër e viktimave i përkasin sallës së koncerteve “Le Bataclan”, i kthyer në një skenë të vërtetë masakre, ku terroristët qëllonin me gjakftohtësi, një e nga një pjesmarrësit në shfaqje.

Më shumë se një mijë veta po merrnin pjesë në koncertin e një grupi muzikor amerikan në sallën Bataclan. Një numër i pjesëmarrësve arritën të ikin gjatë të shtënave.

Numri i terroristëve të vrarë është 8. Katër prej tyre gjatë ndërhyrjes së njësive të policisë në sallën e Bataclan, prej të cilëve 3 hodhën veten në erë, ndërsa një tjetër u vra nga agjentët. Tre të tjerë hodhën veten në erë në pika të ndryshme të qytetit. Ndërsa sipas policisë, një tjetër u vra në afërsi godinës së Bataclan-it.

Sulme në Paris
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

Policia largoi presidentin francez Francois Hollande nga stadiumi ku u dëgjuan edhe disa shpërthime të tjera. Në mbrëmje ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe urdhëroi mbylljen e kufijve, një akt i pashembullt në shekullin 21. Presidenti Hollande thirri mbledhjen emergjente të kabinetit në mesnatë, ndërsa anuloi pjesëmarrjen në takimin e G-20-tës që ishte planifikuar për të dielën në Turqi.

Përmes postimeve të ndryshme në rrjetet sociale Shteti Islamik mori sot përsipër sulmin. “Mbajeni mend, mbajeni mend 14 Nëntorin. Nuk do ta harrojnë këtë ditë, ashtu si amerikanët 11 Shtatorin. Franca dërgon cdo ditë avionët e saj që bombardojnë në Siri, bombardojnë fëmijë e të moshuar, sot po e pësojnë njësoj”, shkruhet në një prej postimeve, ndërkohë që në një tjetër paralajmërohet se sulme të tilla do të ndodhin dhe në kryeqytete të tjera europiane dhe në Uashington.

Presidenti amerikan Barak Obama i quajti sulmet një "përpjekje të egër për të terrorizuar civilët." Në një fjalim televiziv të premten mbrëma, ai tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë bashkë me Francën për të luftuar terrorizmin.

Kryeministri britanik, David Cameron shkruante në Tëitter: "Ne do të bëjmë çdo gjë që mund të bëjmë për të ndihmuar." Ai tha se ishte tronditur nga ngjarjet në Paris dhe se mendimet e lutjet e tij ishin për popullin francez.

Në Kombet e Bashkuara, një zëdhënës tha se sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon "dënoi sulmet terroriste”.

Brian Katulis, studiues në Qendrën Amerikanë për Progres, i tha Zërit të Amerikës se sulmet në Paris "duket se ishin të bashkërenduar për të shkaktuar pasoja maksimale dhe për të dërguar një mesazh. Kjo demonstron faktin se ka shumë brishtësi në shoqëritë e hapura që mund të shfrytëzohen nga çfarëdo grupesh terroriste që kryejnë veprime të tilla”.

XS
SM
MD
LG