Lidhje

Kosova përballë ekstremizmit fetar


Njohës të çështjeve të sigurisë dhe përfaqësues të institucioneve thonë se shoqëria e Kosovës është pro perëndimore dhe nuk e përkrah ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin. Ata thonë se megjithëse një numër i konsiderueshëm i qytetarëve u është bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak, autoritetet kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta parandaluar këtë dukuri.

Kosova përballë ekstremizmit fetar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Komentet e tyre u bënë në reagim të një artikulli të gjatë të gazetës Nju Jork Times, të botuar dje, ku theksohej se në Kosovë që pas luftës që çoi në pavarësinë e vendit është shtuar radikalizmi fetar nën ndikimin e financimeve nga jashtë, kryesisht nga Arabia Saudite.

Deputeti në Parlamentin e Kosovës Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion thotë se deri tani janë miratuar të gjitha ligjet e nevojshme për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.

“Parlamenti ka marrë hapa shumë konkret në legjislacion dhe në akte tjera mbështetëse për institucionet që merren me luftimin e dukurive negative dhe besoj që parlamenti nuk ka ndonjë mangësi në këtë drejtim. Duhet të zbatohet legjislacioni dhe luftim i qartë dhe profesionalizëm në luftimin e këtyre dukurive negative”, tha ai.

Skender Përteshi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë thotë se deri më tani institucionet kanë pasur sukses në parandalimin e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme, por sipas tij, kjo nuk mjafton.

“Mirëpo, tash e tutje çfarë duhet të bëjmë dhe ku jemi duke çaluar si shoqëri dhe si shtet në adresimin e këtij fenomeni është ri-integrimi dhe deradikalizimi. Jo vetëm me i fut njerëzit në burg që kanë marr pjesë por, qoftë jashtë burgjeve apo brenda tyre të analizohen shkaqet, pasojat dhe rrethanat që e bëjnë zbatimin e programeve të ri-integrimit, ri-socializimit shumë më të mirë dhe shumë më të lehtë”, tha ai.

Zoti Përteshi thotë se në tetë muajt e fundit asnjë qytetar i Kosovës nuk ka shkuar në luftërat në Siri dhe Irak, por sipas tij nuk mungojnë përpjekjet për t’u bashkuar në ato luftëra.

“Ka raste që ka pasur tentim për tu bashkuar në luftën e Sirisë dhe Irakut, mirëpo policia e Kosovës e ka bërë një punë relativisht të mirë ku në bashkëpunim me qytetarët e Kosovës është bërë një rehati ku qytetarët e Kosovës çdo herë që shohin person të dyshimtë ose me qëllim që të shkojnë, po informojnë institucionet relevante dhe ka reaguar policia që në tentim tutje për tu bashkuar në këto luftëra i ka ndaluar”, tha ai.

Deputeti Zemaj thotë se institucionet e Kosovës kanë arritur sukses në parandalimin e këtyre dukurive, por sipas tij me vonesë.

“Ne jemi vend i vogël dhe duhet të jemi kujdesshëm në këtë veprim mbi të gjitha në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, të luftojmë në çdo segment dhe në çdo pore të jetës një mundësi të tillë. Neve nuk na duhen pavarësisht ndikimeve që janë edhe globale, por mbi të gjitha Kosova duhet të ndërtojë një imazh të mirë sepse e ka edhe traditë dhe e ka ruajtur këtë në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar”, tha ai.

Studiues të besimit islam thonë ndërkaq se qasja e gabuar e disa prej imamëve të xhamive në Kosovë ka bërë që të rritet numri i të rinjve me fanatizëm fetar që njëkohësisht i ka shndërruar në ekstremistë dhe pastaj ithtarë e ushtarë të organizatave terroriste.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje, ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 60, ndërkohë që 60 të tjerë janë të deklaruar të vdekur.

XS
SM
MD
LG