Lidhje

Tiranë: Largohen nga puna gazetarë të njohur


Alf
Alf

Në Tiranë janë larguar këto ditë nga puna dy drejtues të njohur në mediat shqiptare; Armand Shkullaku nga TV ABC NEWS dhe Alfred Lela nga botimet MAPO.

Opinioni publik e ka ndjekur me shqetësim largimin nga detyrat të dy gazetarëve të njohur, ndërsa ata vetë pohojnë se politikat editoriale të mediave të tyre po ndryshojnë.

Në pamje të parë largimet nga puna të dy drejtuesve të mediave Armand Shkullaku dhe Alfred Lela janë përfundim apo ndërprerje të thjeshta kontratave të punës.

Largimi nga puna i dy gazetarëve të njohur
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Por ata pohojnë se prapa kësaj rutine qëndrojnë përpjekje të pronarëve të mediave për të ndryshuar politikat editoriale pro qeverisë dhe në dëm të parimeve gazetareske.

“Gjurmët e kësaj lëvizje të çojnë te një ujk, i cili zakonisht është i madh, me pushtet dhe me para” - thotë ish-drejtuesi i botimeve MAPO, Alfred Lela.

Ai shtoi se brenda një jave në radhët e medias u shfaq në këto dy raste vetëm maja e ajsbergut e një morie problemesh të shtypit shqiptar dhe mekanizmave politike që e trysnojnë atë.

Zoti Lela tha se gjatë bisedës për një kontratë të re pune, pas skadimit të kontratës së fundit, ai vendosi të mos pranojë kërkesat për një politikë të re editoriale nga pronari, edhe pse ai kërkoi të vazhdohej me një profil sadopak opozitar.

Ndërsa drejtuesit të tv ABC NEWS, Armand Shkullaku, me një përvojë 25 vjeçare në shtypin shqiptar, u largua pas 4 vjetësh me një ndërprerje kontrate, pasi pronari i grupit mediatik kërkoi një politikë të re editoriale dhe menaxheriale.

“Bashkë me kolegët u përpoqa disa vjet që ta bënim TV ABC NEWS një ishull të lirisë, të profesionalizmit, për aq sa ia arritëm” - thotë zoti Shkullaku.

Ai vetë tha se nuk pati presione apo negociata, por thjesht iu komunikua se stacioni do të ndryshojë menaxhimin dhe qëndrimin editorial.

Zoti Shkullaku shtoi se klima ndaj mediave është e rëndë prej disa vitesh dhe gazetarët punojnë në kushte të vështira.

“Pa diskutim që ka një klimë kur i pari i vendit, pra kryeministri, i quan mediat “kazanë”, “baltë”, “moçal” etj., etj. Ka pra, si të thuash, një strategji për asgjësimin e çdo mendimi të lirë, çdo hapësire të pavarur” - tha zoti Shkullaku.

Dy gazetarët e njohur shprehën shqetësim rreth faktit që zërat kritikë po shmangen me një mënyrë a një tjetër, dhe mediat proqeverisë po krijojnë realitete virtuale, që po largohen çdo ditë e më tepër nga jeta e vërtetë e qytetarëve.

Intervista me gazetarin Armand Shkullaku, ish-drejtues i TV ABC NEWS

Zëri i Amerikës: Zoti Shkullaku! Çfarë ndodhi, që u larguat nga TV ABC NEWS?

Armand Shkullaku: Thjesht, ajo që ka ndodhur është largimi im nga drejtimi i ABC NEWS-it pas 4 vjetësh në krye të tij. Pas një bisede që pata me pronarin e grupit mediatik, që unë punoj, zotin Aleksandër Frangaj, ai ishte i mendimit për ndërprerjen e kontratës time për shkak se mendonte që televizioni ka nevojë në këtë fazë, në këtë periudhë për një qasje të re menaxheriale dhe editoriale. Nga sa kuptoj, Frangaj do ta marrë vetë në dorë këtë menaxhim të ri, këtë drejtim të ri të ABC NEWS-it dhe marrëdhënia ime me këtë televizion quhet e ndërprerë.

Nuk ishte një zgjedhje ime dhe nuk ishte e lehtë që të shkëputesha nga një televizion pas një kohe jo shumë të gjatë, vetëm 4 vjet. Me një pjesë të madhe të gazetarëve aty kam punuar edhe më parë, dhe jemi një grup njerëzish që kemi 25 vjet në këtë profesion. Asnjëherë nuk është e lehtë të ndahesh nga diçka që e kemi bërë me pasion dhe nuk e ke konsideruar thjesht si një vend pune. Kjo gjë e bën edhe më të vështirë, megjithatë nuk është diçka e papritur. Në kohët që jetojmë dhe në profesionin që kemi, e dimë që nuk jemi të përhershëm, dhe e dimë çdo çast mund të jetë koha që do të na thonë “Mjaft!” dhe “Këtu mbaron”. Por jam i qetë në një kuptim, sepse jam munduar, këtë më mirë mund ta thonë shikuesit dhe kolegët, që punuan me mua, që e bëmë TV ABC një ishull të lirisë, të profesionalizmit, me aq sa ia arritëm.

Zëri i Amerikës: A negociuat ju për një format të ri profesional?

Armand Shkullaku: Unë nuk kam patur ndonjë presion dhe as ndonjë negociatë të tipit “A pranon të bësh këtë apo atë gjë?”. Për hir të së vërtetës, kjo nuk ka ndodhur, edhe për një arsye të thjeshtë që unë me Frangajn kemi 20 e ca vjet që punojmë bashkë. Ashtu si unë e di konceptin e Frangajt, edhe ai e di që një negociatë e tillë do të ishte pa kuptim, sepse përgjigja dihej. është një gjë që u zgjidh në këtë formë: Frangaj mendon që duhet ta drejtojë vetë, sepse, sipas tij, televizioni ka nevojë për një tjetër orientim menaxherial dhe editorial, ndërsa unë vazhdoj t'i qëndroj asaj pune që kam bërë gjithë jetën time si gazetar. Herë përputhen herë nuk përputhen kjo imja me interesat, me kohët që jetojmë, por negociatë nuk kishte.

Zëri i Amerikës: Si i keni pritur, si i vlerësoni deklaratat e Partisë Demokratike mbi largimin tuaj dhe kolegut nga puna?

Armand Shkullaku: Nuk mund të ndikoj, as të ndaloj partitë që të bëjnë deklarata të ndryshme. Nuk dua ta politizoj as të shoh teori konspiracioni prapa kësaj. As nuk dua t'i jap largimit tim nota disi patetike. Në kohët që jetojmë, secili nga ne e di që presioni ka qenë i vazhdueshëm. Maxhoranca e re është më maniakiale ndaj imazhit, ndaj mediave. Pa diskutim, që ka edhe një klimë, që ne e shohim përditë, kur i pari i vendit, pra, kryeministri, i quan mediat “kazanë”, “baltë”, “moçal” et., etj. Ka pra, jo thjesht një tendencë, por ekziston një lloj strategjie për asgjësimin e çdo mendimi të lirë, çdo hapësire të pavarur, gjë që shkon në sinkron me filozofinë e kësaj qeverie, kryeministrit, kryebashkiakut e me radhë, për një realitet virtual. Nuk është çudi që të kemi së shpejti një realitet si ajo e Koresë së Veriut, ku edhe frutat në pazar t'i kemi artificiale, ose kur të shkojë kryeminstri për vizita të ndërrohen edhe mobiljet nëpër shtëpitë e njerëzve për të pritur e përcjellë. Jemi para një realiteti virtual, të cilin ata po mundohen ta shesin si realitet, dhe për këtë gjë, sigurisht çdo pengesë në rrugën e tyre do të ishte e kuptueshme që të mundiheshin ta eleminonin. Por, unë këtë e kam thënë edhe kur punoja në ABC NEWS, me shkrimet e mia dhe me deklarimet e mia në biseda televizive, por nuk dua që të lidh diçka timen personale me strategjinë e qeverisë. Kjo ashtu ka qenë përpara e ashtu do të jetë për sa kohë që nuk do të ketë reagime të forta as ndërgjegjësim të mediave dhe gazetarëve vetë për t'i bërë ballë kësaj situate të re.

Intervistë me gazetarin Alfred Lela, ish drejtues i botimeve MAPO

Zëri i Amerikës: Zoti Lela! Si ndodhi që u larguat nga puna në MAPO?

Alfred Lela: Ka qenë një ndarje kontraktuale në një mënyrë, sepse kam patur një kontratë pune deri më 31 dhjetor me botuesin e mediave MAPO. Pas 31 dhjetorit ishte parashikuar një afirmim, një shtyrje ose një rikompozim i kontratës, por me disa kushte. Një prej kushteve ishte përputhshmëria me një politikë editoriale, e cila shkonte plotësisht kundër qëndrimeve të mia publike të deriatëhershme, ose të një artikulimi tim të paktën, deri diku, opozitar. Në këto kushte, unë zgjodha të mos i bindesha këtij opsioni, kësaj linje editoriale, ndaj ndodhi edhe largimi im prej medias MAPO si drejtor. Një prej opsioneve ishte që unë të mbetesha pedagog në UET për komunikimin politik dhe aty jam. Jam i pezmatuar, sepse është një karrierë, e cila pritet të ngjitet si shpirtërisht si materialisht, pra kënaqësia intelektuale si gazetar dhe natyrisht kushdo pret edhe një shpërblim material, të dyja në rritje dhe jo në rënie. Por unë jam i shqetësuar për atë që i ndodh vetes time, por që po i ndodh edhe llojit tonë dhe medias, sepse paralelisht me mua edhe Armand Shkullaku, një koleg i nderuar dhe i shquar i medias, brenda këtyre ditëve u largua gjithashtu nga puna. Sigurisht, ne të dy, me prononcimet tona të para, kemi lënë të shihet ajsbergu i problemeve të medias.

Zëri i Amerikës: Opozita politike ka publikuar deklaratë përkrah jush. Si e pritët?

Alfred Lela: E falenderoj opozitën dhe kryetarin e saj Basha, ashtu si dua të falenderoj të gjithë ata njerëz, që më kanë marrë në telefon, më kanë çuar mesazhe, më kanë mbështetur. Opozita ka një linjë të vetën politike. Unë nuk dua ta shoh këtë nën shenjat e apokaliptikes, por dua ta shoh si një ngjarje serioze. Janë larguar dy gazetarë, dy drejtues mediash brenda pak ditësh dhe kjo është një shenjë të gjërave si janë dhe të gjërave ku po duan të shkojnë. A ka mekanizma politikë, që i shtyjnë këto? Sigurisht që ka. Do të binim në naivitet të madh nëse do të thonim që nuk ka në këtë mes shtysa, vullnete dhe mekanizma politikë.

Zëri i Amerikës: A mund të shprehni diçka më konkretisht lidhur me këtë të fundit?

Alfred Lela: Mund të flas për trysni të bëra mua dhe që më kanë shtyrë sot në këtë pozicion. Nuk mund të flas nëse kolegë të tjerë kanë apo jo trysni të tilla. Unë flas për të miat. Shenjat dhe gjurmët të çojnë tek një ujk, i cili zakonisht është i madh, është me pushtet dhe me para.

XS
SM
MD
LG