Lidhje

Senati i Oregonit riorganizohet pas bojkotimit nga ligjvënësit republikanë


Senati i shtetit të Oregonit
Senati i shtetit të Oregonit

Dhjetë muaj pasi shumica e senatorëve republikanë të shtetit të Oregonit i dhanë fund bojkotimit gjashtë javësh të Senatit, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Oregon Deborah Bloom, ata po përballen me pasoja të ashpra për shkak të protestës së tyre.

Senati i Oregonit riorganizohet pas bojkotimit nga ligjvënësit republikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:49 0:00

Senati i Oregonit po përballet me një situatë të pazakontë.

Nëntë senatorëve republikanë dhe një senatori të pavarur u është ndaluar të marrin pjesë në zgjedhje për mandatin e ardhshëm, megjithë përpjekjet e tyre kundër kësaj mase.

Njëri nga këta senatorë është Tim Knopp.

Ai u zëvendësua në pozitën e tij si udhëheqës i pakicës republikane në Senat në fillim të këtij muaji.

“Nuk e di se si do të jetë e ardhmja ime në shërbimin publik në të ardhmen. Por e di që ishte nder dhe privilegj që kam shërbyer,” thotë zoti Knopp.

Ky ndëshkim është si përgjigje ndaj veprimeve të vitit të kaluar, kur senatorët republikanë penguan punimet e legjislaturës duke mos u paraqitur në punë dhe si pasojë nuk u arrit kuorumi i nevojshëm në Senat. Ata po përpiqeshin të bllokonin ligjvënësit demokratë, që përbëjnë shumicën dhe t’ua bënin atyre të pamundur miratimin e ligjeve që ligjvënësit republikanë i kundërshtonin.

Zoti Knopp fajëson demokratët për këtë largim të republikanëve nga Senati.

“Kur ligjvënësit largohen në shenjë proteste, do të thotë që bëhet fjalë për një proces i cili ka dështuar dhe shumica e ka fajin. Nëse ata kanë patur për qëllim të mposhtin opozitën (ose pakicën republikane), atëherë duhet të jenë të përgatitur për betejë,” thotë ai.

Presidenti i Senatit Rob Wagner, nga radhët e ligjvënësve demokratë, refuzoi të deklarohej për rastin.

Senatorët ndërprenë bojkotimin kur ligjëvënësit demokratë ranë dakord që të bëjnë lëshime në ligjin për kontrollin e armëve, çështjet rreth abortit, të drejtave riprodhuese dhe kujdesit mjekësor rreth përcaktimit gjinor.

Oregoni është njëri nga katër shtetet amerikane ku nevojitet që dy-të-tretat e ligjvënësve të jenë të pranishëm në sallë në mënyrë që të zhvillohen punimet e Senatit.

Alejandro Queral, Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Oregonit për Politika Publike, një organizatë jofitimprurëse që mbështet politikat liberale, shpjegon ndikimin e bojkotimit.

“Kur ka largim nga seanca në shenjë proteste, të gjitha punimet e Senatit ndalen, do të thotë që asnjë punë zyrtare nuk mund të bëhet. Dhe në këtë mënyrë, politikat e vështira që duhen miratuar, bllokohen,” thotë ai.

Që nga viti 2019, senatorët republikanë të Oregonit janë larguar pesë herë nga Senati në shenjë proteste. Bojkotimi i fundit ishte më i gjati në historinë politike të këtij shteti.

Në vitin 2022 banorët e Oregonit miratuan një masë që ndalon ligjvënësit me 10 apo më shumë mungesa të pajustifikuara nga seanca plenare të konkurrojnë për mandat të ri në zgjedhjet e radhës.

Tani, 10 senatorët, që përbëjnë një të tretat e Senatit – nuk mund të rikandidojnë për një mandat të ri në zgjedhjet e vitit 2024 dhe ato të vitit 2026.

Zoti Knopp dhe katër senatorë të tjerë të skualifikuar, u përpoqën ta sfidojnë këtë masë në gjyq, me arsyetimin se ligji nuk ishte i shkruar mirë.

“Nuk mendojmë që vendimi për të na ndaluar të kandidojmë në zgjedhje ishte interpretim i saktë nga sekretari i shtetit,” thotë ai.

Gjykata e Lartë e Oregonit e hodhi poshtë argumentin e tyre.

“E ka këtë të drejtë. Ne e njohim autoritetin e Gjykatës. Por njëkohësisht, nuk pajtohemi me vendimin e tyre,” shton zoti Knopp.

Dy nga senatorët e skualifikuar e apeluan vendimin në një gjykatën federale, duke argumentuar se bojkotimi i punës së Senatit është e drejtë e shprehjes së lirë që mbrohet me Kushtetutë. Gjykatësit nuk u pajtuan.

Senatorët e ndaluar Brian Boquist dhe Dennis Linthicum po kandidojnë për postet e sekretarit të thesarit dhe sekretarit të shtetit. Zoti Linthicum dhe senatori tjetër i skualifikuar Art Robinson, po shpresojnë të vendosin anëtarët e tyre të familjes në vendet e tyre të Senatit.

Gjatë 20 viteve të fundit, demokratët përbëjnë shumicën në Senatin e Oregonit.

XS
SM
MD
LG