Ndikimi ekonomik i pandemisë së koronavirusit i detyroi shumë biznese në Nju Jork që të mbyllen. Ndër ta është edhe muzeumi për 11 shtatorin, që siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aunshuman Apte, përfaqësonte një pjesë të rëndësishme të historisë amerikane.
Që kur u themelua në vitin 2006, Muzeumi në kujtim të 11 shtatorit ka ofruar për mijëra të mbijetuar nga sulmet terroriste mundësinë që të ndërveprojnë me të tjerët dhe të tejkalojnë dhimbjen e 11 shtatorit 2001.
“Pas çdo prezantimi që kam bërë në muze, apo guide për vizitorët, ndjehesha i ripërtërirë kur kthehesha në shtëpi. Ndjehesha më mirë. Kisha ndjesinë se kisha dhënë ndihmën time dhe kjo më jepte një pozitivitet”, thotë Peter Bitwinski, i mbijetuar i 11 shtatorit.
Por vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga COVID-i ishin të papërballueshme, dhe më 17 gusht muzeu mbylli dyert e tij.
“Të ardhurat tona vijnë nga vizitorët në muze dhe nga shitjet. Fatkeqësisht, pa patur vizitorë, nuk kemi mbledhur dot fonde të mjaftueshme për të vazhduar punën në muze”, thotë Jennifer Adams-Webb, bashkëthemeluese e muzeumit për 11 shtatorin.
Ajo thotë se përpara pandemisë muzeumin e vizitonin mesatarisht 300 mijë njerëz. Ajo shton se në vitin 2021 pati vetëm 26 mijë vizitorë.
Në muze shfaqeshin sendet personale të viktimave të 11 shtatorit, si këpucët apo dokumentat e identifikimit. Ajo që e bënte të veçantë këtë muze ishte mundësia për t’u takuar dhe për të biseduar me të mbijetuarit që rrëfenin eksperiencat e tyre të asaj dite.
“U bënim një kurs përgatitor intensiv, në mënyrë që të mundeshin të paraqisnin një përmbledhje 15-minutëshe të ngjarjeve të 11 shtatorit, të shoqëruar me fakte dhe shifra. Dhe vizitorët na thonë se kjo është shumë frymëzuese. Vijnë këtu që të dëgjojnë për ditën më tragjike të historisë amerikane dhe dalin pasi kanë dëgjuar këto histori rezistence dhe frymëzimi”, thotë zonja Adams-Webb.
Shumica e objekteve janë transferuar tashmë tek Muzeu Shtetëror i Nju Jorkut, në Albany, dhe mund të shikohen nëpërmjet internetit.
Por, mbështetësit e këtij muzeumi përkujtimor thonë se lidhja mes të mbijetuarve të 11 shtatorit dhe vizitorëve mund të jetë humbur përgjithnjë.
“Do të na mungojë ajo që kemi bërë për 16 vjet dhe njerëzit me të cilët jemi takuar, me gjithë përqafimet dhe lotët e emocioneve njerëzore, ndjesitë e përjetuara së bashku dhe mesazhin për brezat e ardhshëm”, thotë zoti Bitwinski.
“Çdo njujorkez thotë se nuk duhet harruar kurrë 11 shtatori. Dhe ky muzeum u dha vërtet njerëzve mundësinë për të mos e harruar kurrë. Është për të ardhur keq që nuk do të jetë më këtu”, thotë vizitorja Marissa Schickling.
Një mundësi e humbur për të ndërvepruar me historinë e gjallë.