Lidhje

Presidenti Trump shpërndan emrin e informatorit, më vonë fshin mesazhin


Presidenti Donald Trump bëri një postim në Twitter, të cilin më pas e fshiu, ku përfshihej emri i personit që aludohet të jetë informatori anonim, ankimimi i të cilit mundësoi ngritjen e akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve me qëllim shkarkimin nga detyra të zotit Trump.

Pak përpara mesnatës të së premtes, Presidenti Trump ripostoi një mesazh në Twitter të shkruar nga llogaria @Surfermom77. Në Twitter pretendohet se kjo llogari i përket një gruaje të quajtur Sophia, e cila jeton në Kaliforni. Në këtë llogari vihen re shenja aktiviteti të lartë, të pazakontë si dhe foto profili me imazhe të marra nga interneti.

Deri në mëngjesin e së shtunës, postimi në fjalë ishte hequr nga llogaria e Presidentit Trump, megjithëse mund të gjendet ende në disa arkiva, ndër to edhe një faqe interneti që arkivon çdo mesazh në Twitter të presidentit.

Zoti Trump ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për zbulimin e identitetit të informatorit. Por kjo është hera e parë që ai e poston emrin e aluduar për ta parë të 68 milionë ndjekësit e tij.

Zbulimi i emrit të informatorit, një punonjës i shërbimeve të zbulimit, mund të jetë shkelje e ligjeve federale që kanë gëzuar historikisht mbështetjen e të dyja palëve politike.

Informatori paraqiti një ankesë në muajin gusht lidhur me një bisedë telefonike mes Presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy si dhe për disa shkëmbime të tjera me këtë vend të Evropës Lindore. Ankesa shtyu Dhomën e Përfaqësuesve të fillojë një proces hetimor që përfundoi me ngritjen e akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit Trump. Çështja pritet të shkojë në Senat, ku gjasat janë që shumica republikane ta lirojë presidentin nga akuzat e ngritura prej Dhomës së Përfaqësuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG